Në Cërnicë ka filluar ceremonia e varrosjes së pesë anëtarëve të familjes Bllaca (video)

Në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit, ka filluar ceremonia e varrosjes së pesë trupave të familjes Bllaca.

Ata u vranë pardje në Gjilan, nga vajza Valdetja, e cila në fund e vrau edhe veten, raporton portali mediafokus.info.

Në përcjelljen e fundit të familjes Bllaca, po marrin pjesë qindra qytetarë nga Gjilani e Kosova.

Ata kanë ardhur për t`iu dhënë lamtumirën e fundit Zeqirit, Hanifes, Blerimit, Fisnikut dhe Valdetes.

Krimin më të rëndë brenda familjes, dyshohet se e kreu Valdetja, police e Kosovës.

Valdetja privoi nga jeta të dy prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj bëri vetëvrasje.

Dyshohet se ajo e ka kryer krimin në mëngjes, ndërsa vetëvrasje bëri pas mesditës.

Gjatë kësaj kohe, Valdetja jo vetëm që ka qëndruar me viktimat në shtëpi, por sipas dëshmitarëve, edhe kishte dalë prej shtëpisë, për të kontaktuar me disa të afërm.

Nuk dihet nëse iu kishte treguar atyre apo jo për krimin që kishte kryer në familje.

Por është e qartë se vrasjen e familjarëve e kishte planifikuar paraprakisht.

Motivi i kësaj vrasje të katërfishtë dhe një vetëvrasje, nuk dihet ende, pos që është e konfirmuar se Valdetja kishte çrregullime mendore dhe se kishte kryer dhjetëra seanca psikologjike në tri vitet e fundit, për çka i ishte marrë arma zyrtare dhe ishte ri-sistemuar në një vend tjetër pune brenda policisë.

Ende është e paqartë se si ajo kishte arritur ta merrte armën nga kasaforta e policisë. Në këtë drejtim po zhvillohen hetime nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Valdete Bllaca punonte në polici që prej 18 vitesh, fillimisht në Prishtinë, ndërsa viteve të fundit në Gjilan.

Ky rast, i paparë ndonjëherë në këtë regjion, ka tronditur qytetarët anembanë vendit, për faktin se është shuar një familje e tërë, e cila gëzonte respekt në fshatin e origjinës dhe në qytet, ku jetonte aktualisht. /mediafokus.info