Në cilin fshat të Kosovës është gjetur një çekan prej guri, i ngjashëm me atë të Durrësit dhe Divjakës?
Në fshatin Karaçevë e Epërme, komuna e Dardanës (Kamenicë) është gjetur një çekan prej guri, që është ngjashëm me atë të Durrësit. Pronar i tij është Zotrim Kastrati, që ka edhe eksponate të tjera, të cilat i ka grumbulluar vetë dhe është duke i ruajtur në shtëpi.
Sipas Qendrës për trashëgimi në Gjilan, Kastrati ka një numër të caktuar eksponatesh nga lloje të ndryshme, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme historike.
Në koleksionin e tij ka qerre druri me katër rrotë, drapër të vjetër, kmesë, peshore (kandar i vjetër), kusi e tepsi bakri, sitë, kutull (masë mielli për ujem), gërshërë për qethje të deleve, verigë, një opingë e vjetër prej lëkure të lopës, sharrë dore, tjerrëse-pjesë e vekut, mashë, një pistoletë të vjetër të thjeshtë, hekur, zgjedhë për kafshë, qilim dhe të tjera.
Por bie veçmas në sy çekani prej guri dhe një copë xehe e gjetur në Strezoc. Çekanin e ka gjetur Beqir Dërmaku, daja i tij, në përroin e Karaçevës së Epërme.
Në librat e arkeologjisë mund të gjendet një çekan i ngjashëm në Durrës dhe Divjakë. Çekani është i gjatë 9 cm, i gjerë 5 cm, ndërsa peshon afërsisht 300 gramë.
Vërehet gjithandej një interesim për ruajtjen e vlerave të traditës shqiptare tek koleksionuesit privatë. Disa nga këta persona kanë krijuar edhe muze të vogla në objekte private dhe publike.
Një interesim për ruajtjen e traditës kanë shfaqur edhe banorët e Shipashnicës së Epërme, duke grumbulluar eksponate të ndryshme dhe duke i vendosur ato në ish-mejtepin e fshatit.
Në këtë objekt, përkatësisht në hapësirat e ish-mejtepit gjenden shumë artefakte etnografike dhe disa ekzemplarë librash.
Aty ka vegla të punës, enë të ndryshme, vegla bujqësore, vegla për endje dhe gjësende të tjera.
Në mesin e shumë eksponateve, është edhe mokra për bluarjen e drithit, parmenda, kutulla, korubja, mulli kafeje, gaforrkë për tjerrjen e konopit, dybek, sharrë për prerjen e trupave, luga e ujemit, zgjedha, kaca, tpi, tpi me çark, kutlica e mullirit, shkop tupani, katullaqe, nallane, kmesa, pehar për miell, gërryes e lugut të mullirit, turjelë për kavalle, fërtele, zdruktha, kompas druri, sharrë dore, pjekëse e kafesë, verigë, vegla nallbani, aleme, kërhanë për konop, drugëza e vekut, pirajka e të tjera.
Këto eksponate janë grumbulluar dhe sjellë në muzeun e vogël të fshatit, nga banorët lokalë e më gjerë./mediafokus.info

