“Ne duam konflikt”, thoshte para dy dekadash Albin Kurti
Kryeministri Albin Kurti, i cili fitoi zgjedhjet të dielen për të tretën herë radhazi në nivel nacional, gjatë fushatës fliste me tone të ashpra, nënçmuese e përbuzëse për kundërshtarët politikë, e në kuptim pezhorativ për LDK-në e PDK-në, raporton Mediafokus.info.
Për rikujtim, Kurti është i pari lider kosovar që vite më parë pati deklaruar publikisht se partia e tij do konflikt.
“Duhet të ndërtojmë konflikt me pushtet të padrejtë, me një regjim antidemokratik e me një administratë kolonialiste, por ky konflikt në rastin tonë është i padhunshëm”, pati deklaruar Kurti, gjatë një interviste për gazetën “Java,” më 8 shtator të vitit 2005, raporton Mediafokus.info.
Për më tepër, në këtë intervistë, kreu i Vetëvendosjes kishte thënë edhe se është kundër pluralizmit politik.
“Pluralizmi politik në këto rrethana e përçanë popullin. Unë jam për pluralizëm politik pasi ta bëjmë shtetin. Tash për tash, i tërë populli, të gjitha subjektet politike dhe jopolitike, duhet të bashkohen në një front të përbashkët për vetëvendosje”, kishte deklaruar Kurti.
Pas fiks dy dekadave, Vetëvendosje ka fituar 40 përqind të votive, duke dalë sërish partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Me deklaratat e tij të ashpra, ai akuzohet nga kundërshtarët që e polarizuar tejmase skenën politike kosovare.


