Në dy javët e para të gushtit, 4 të vrarë e 20 të lënduar në Kosovë
Më 4 gusht në një lokal në qendër të Prishtinës, pas një sherri mes dy grupeve mbeti një person i vdekur e të paktën 17 të lënduar.
Tre të dyshuarit u ndaluan nga Policia e Kosovës e një mbetet ende në arrati.
Më 7 gusht, Tush Frroku e qëlloi për vdekje një mërgimtar në një lokal në Klinë, deri më 15 gusht ai ishte në arrati, përcjell albinfo.ch.
Në Runik të Skënderajt, në një lokal nate, të enjten e 10 gushtit u vra 39-vjeçari N.L. e të paktën tre u plagosën.
Për rastin dyshohen dy persona që janë ende në arrati.
Ndërkohë, S.M. u gjet me shenja dhune gati se në gjithë trupin, pothuajse të zhveshur në afërsi të spitalit të Mitrovicës.
Rasti i cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, u rikualifikua në “Vrasje e rëndë”, pasi policia gjeti në shtëpinë e një personi të cilin e arrestoi veturën e viktimës, shkruan Klan Kosova.
Këto vrasje bënë që Policia të nisë urdhrin operativ ‘Goditja’, në të cilin për pesë ditë u konfiskuan 37 armë e u arrestuan 96 persona.

