Në Gjilan arrestohet hajni i bletëve
Në Gjilan është arrestuar një hajn i bletëve, njofton policia.
I dyshuari, me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje për “vjedhje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”.
Njoftimi i policisë:
Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se ka vjedhur nga bletarë të ndryshëm rreth 27 koshere të bletëve. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë M48, një granatë dore, 28 fishekë, tri gëzhoja, 7 boca gazi për pistoletë dhe 4 detonatorë elektronik. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet për deminim të FSK-së dhe KFOR-it që e kanë tërhequr granatën e dorës dhe kanë shpërthyer detonatorët pa incidente. I dyshuari pas intervistimit në prani të avokatit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, thuhet në njoftim.

