Në Gjilan, me 2 euro mund të merrni një kafe, një bukë dhe një litër naftë, në Prishtinë – vetëm një expresso

Për dallim prej qyteteve tjera të Kosovës, në Gjilan, ende mund të pini kafe për 50 cent, të blini një bukë për 35 cent dhe të mbushni rezervuarin e makinës për 1.04 cent litrin e naftës.

Çuditërisht, por Gjilani, për disa gjera mbetet qytet më i lirë se të tjerët. Këtu qershitë nuk kushtojnë 25 euro si diku tjetër.

Ka plot vende në Gjilan, ku kafeja ende kushton vetëm 50 cent, derisa në Prishtinë flitet për rritjen e çmimit të pijes më të preferuar në botë, në 2 euro.

Po ashtu bukë për 35 cent, madje edhe më lirë në ndonjë market të madh (nuk po përmendin emra për të mos u bërë reklamë), gjen në disa shitore në Gjilan.

Kuptohet, në furra shitet 60 cent, por nëse qytetari do çmim më të lirë, zgjidhje ka mjaftueshëm, madje tërë ditën dhe deri vonë natën.

Sa i përket naftës, këtu në Gjilan shitet më lirë se kudo në Kosovë prej gati një viti e këndej.

Aktualisht sot, një litër naftë në Gjilan, kushton vetëm 1.04 cent, të paktën 20 cent më lirë se gjetiu.

Pra, një kafe, një bukë dhe një litër naftë në Gjilan mund t`i blini për 1.89 cent, që i bie më lirë se një kafe në Prishtinë.

Edhe Gjilani i ka të mirat e veta, sado që ka ngelur pa autostradë, pa stadium e pa shumëçka tjetër./Mediafokus