Në Gjilan u shënua dita ndërkombëtare e shkrimtarëve
Në Qendrën Edukative-Sociale “Don Bosko” në Gjilan, me një veprimtari letrare-artistike u shënua sot Dita e Shkrimtarëve.
Nxënës të përzgjedhur të kësaj shkolle, përkujdesur nga drejtori Don Olsi nga India dhe profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Shqipe Sijarina, lexuan shkrimet e veta poetike para bashkë-moshatarëve dhe mësimdhënësve të tyre, në prani të një numri të konsiderueshëm shkrimtarësh nga Gjilani dhe Dardana.
Drejtori i Qendrës Edukative-Sociale “Don Bosko”, Don Olsi uroi mirëseardhje për poetët dhe njëkohësisht shfaqi interesimin për bashkëveprimin me letrarët e kësaj hapësire rajonale të Republikës së Kosovës.
Këtë takim simpatik e udhëhoqi Mehmetali Rexhepi, i cili para këtij auditori lexoi një ese të shkurtër për misionin fisnik të shkrimtarit në shoqëri, si një shpirt i butë dhe prore i rebeluar kundrejt ndeshtrashave (ç)njerëzore në jetën urbane.
Poetët që lexuan para nxënësve, kryesisht përfaqësonin Ars-clubin “Beqir Musliu” të Gjilanit.
Me nga një ose dy poezi u paraqitën: Albinë Idrizi, Hysen Këqiku, Nexhat Rexha, Alketë Spahiu, Selvete Abdullahu, Minivere Maka, Shqipe Sijarina-Jakupi dhe Mehmetali Rexhepi.
Këpujë e një organizimi të tillë mes Qendrës Edukative dhe letrarëve të lartshënuar ishte edukatori shumëvjeçar dhe letrari Hysen Këqiku.
Me këtë rast, simbolika e Ditës së Shkrimtarëve u përmbush me dhurime lulesh për poetët nga nxënëset simpatike të kësaj qendre shkollore./MR/

