Në Gjilan vihet gurthemeli i shtatores së heroit Ramiz Cernica

Në prag të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Gjilan është vendosur sot gurthemeli i shtatores së heroit të Kuvendit të Kosovës në Prizren më 1945, deputetit të popullit shqiptar, tribunit të kombit, Ramiz Cërnica.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni tha me këtë rast se ndihet i privilegjuar që si pushtet lokal dhe qeverisje e re, në cilësinë e kryetarit të Komunës, të vendosë gurthemelin e njërit prej figurave më të mëdha të historisë së popullit shqiptar.

Përfaqësuesi i Këshillit organizativ, Ismet Sylejmani, tha se janë sot të gjithë bashkë për të nderuar një gjigant për qëndrimin e tij madhor me dinjitet të lartë kombëtar e me guxim epik të pashembullt.

Deputeti i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se në këtë ngjarje ka dy gëzime.

“Gëzimin e parë e kam sepse gëzohet Rexhep Mala e Nuhi Berisha për vendosjen e këtij tribuni këtu, ndërkaq gëzimi i dytë është rinia, djalëria nuk e harron historinë, por ngrit shtatore të derdhur në bronz për Ramiz Cernicën”, tha ai.

Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili tha se kjo ngjarje është madhështore jo vetëm për Gjilanin, Karadakun e Gollakun, por për të gjitha trojet shqiptare.

Në emër të familjes së heroit Ramiz Cernica, ka folur djali i tij, Abdyl Hoxha, i cili ka falënderuar strukturat komunale për përkrahjen për vendosjen e kësaj shtatore.