Në Gllogoc e Skënderaj zbulohen lokale të bixhozit

Edhe pse shteti i ka ndaluar lojrat e fatit dhe ndërmori edhe një aksion të madh për mbylljen e lokaleve që zhvillonin veprimtari të tillë në Karaçevë, bixhozi po vazhdon aty-këtu nëpër Kosovë. Së fundi, lokale ku zhvillohej bixhoz i paligjshëm janë zbuluar nga policia në Gllogoc e Skënderaj.   

Gllogoc 23.12.2020 – 17:25. Pas hetimeve të zhvilluara është marrë informata se në një lokal janë duke u luajtur lojëra fati, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit është kontrolluar lokali dhe janë intervistuar të gjithë të pranishmit si dhe një i dyshuar mashkull kosovar, i cili ishte duke shtypur tiketa basti online. Nga lokali janë konfiskuar njëmbëdhjetë shtëpiza kompjuteri dhe një sasi e monedhave në arkë. Me urdhër të prokurorit rasti mbetet në procedurë të rregullt.

Skenderaj 23.12.2020 – 21:28. Pas hetimeve të zhvilluara është marrë informata se në një lokal janë duke u luajtur lojëra fati, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit është kontrolluar lokali dhe nga aty janë konfiskuar tre kompjuterë, një televizor si dhe një sasi e monedhave dhe tiketave të bastorës.  Është intervistuar pronari i lokalit me urdhër të prokurorit rasti mbetet në procedurë të rregullt. Inspektorët komunal kanë mbyllë lokalin e shirit zyrtar, thuhet në raportin e policisë.