Në Klinikën Gjinekologjike në QKUK kryhen me sukses dy operacione të rralla
Në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike (KOGj), të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, për herë të parë janë kryer me sukses dy operacione të rralla dhe shumë të rëndësishme për pacientet.
Ky sukses është rezultat i bashkëpunimit profesional ndërmjet stafit të klinikës dhe dr. Alban Nezirit, gjinekolog, i cili jeton dhe punon në Zvicër, i cili me përvojën dhe ekspertizën e tij dha një kontribut të jashtëzakonshëm për realizimin e këtyre ndërhyrjeve për herë të parë në vendin tonë.
Po ashtu, kontribut të çmuar ka dhënë ekipi i gjinekologëve nga klinika, e poashtu anesteziologëve dhe stafit nga Klinika e Anesteziologjisë.
Operacionet janë realizuar tek dy paciente me anomali kongjenitale të organeve gjenitale, ku gjatë zhvillimit embrional nuk janë zhvilluar plotësisht disa pjesë të tyre (mitra dhe vagina).

