Në Tanzani përurohet një burim uji i hapur me ndihmën e disa gjilanasve, merr emrin e heroit Afrim Bunjaku
Në Tanzania të Afrikës është përuar sot një burim uji për nevoja të banorëve të zonës, i hapur me kontributet e disa qytetarëve nga Gjilani.
Ky burim i shpuar në thellësi mbi 90 metra do të shuaj etjen e shumë familjeve dhe mijëra banorëve të disa fshatrave në distriktin Moshi, ka thënë Ismet Hashani, toger i Policisë së Kosovës nga rajoni i Gjilanit, i cili ka marrë pjesë në përurim.
“Jam i lumtur dhe krenar që ky burim i ujit i hapur me ndihmën e njerëzve bamirës nga Republika e Kosovës (qyteti i Gjilanit) nga sot do ta mbajë emrin e Heroit Rreshter Afrim Bunjaku i cili ra heroikisht në mbrojtje të atdheut dhe demokracisë se shtetit tonë, duke rënë në altarin e lirisë e për të mos vdekur kurrë.
Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë vendin tonë, ta promovojmë vendin tonë dhe ne do ta duam republikën tonë.
Të nderuar miq, familjar, koleg e kolege, vëllezër e motra në momentin kur do të shohim peripecitë e njerëzve nëpër botë që me kilometra të tëra bartin dhe nuk kanë ujë të pijshëm, nuk rrugë, nuk kanë rrymë, nuk kanë ushqim për të ngopur fëmijët e tyre, sakrifica jonë në tokën e Kosovës, si një vend i bekuar duhet të jetë në vazhdimësi dhe pa shpërblim”, ka thënë togeri Ismet Hashani. /Mediafokus.info

