Në Universitetin “Kadri Zeka” aplikojnë për regjistrim 1000 studentë

Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 1000 kandidatë për t’u regjistruar në studimet themelore dhe pasdiplomike.

Fakulteti më i preferuar vazhdon të mbetet ai i Edukimit dhe i Shkencave Kompjuterike.

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhim dhe ndërmarrësi, Fakultetin e Shkencave Aplikative programi Matematikë Arsimore dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike do të regjistrojë 780 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.

Derisa për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik, Universiteti “Kadri Zeka” do të regjistrojë 100 studentë të rregullt, për programet E-Qeverisja.

Xhevdet Thaqi, Prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, tha se procesi i aplikimit dhe pranimit të dokumenteve ka shkuar ashtu siç është paraparë me planin dinamik.

Provimi pranues për studimet BAÇELOR do të mbahet të premten, më datë 2.10.2020 për Fakultetin Juridik, Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave Aplikative.

Kurse për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik provimi pranues do të mbahet të shtunën më 3.10.2020.

Koha e saktë e mbajtjes së provimit, lista e kandidatëve dhe numri i sallave do të publikohen në ueb faqe të Universitetit të enjten më 1.10.2020.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri të martën, më 6 tetor 2020 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen. Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 8 tetor 2020 duke filluar nga ora 10.00.