Në vend të bukës këshillohen të hanë mjellma të zeza

Koreja e Veriut po rrit mjellma të zeza për t`i përdorur si burim ushqimi, shkruajnë mediat e huaja, teksa vendi komunist përballet me një krizë të vazhdueshme ushqimore, të ashpërsuar dhe nga bllokadat pandemike që janë ende në fuqi.

Agjensitë koreano-jugore të inteligjencës thonë se lideri i vendit fqinj, Kim Jong Un, në seancën e fundit parlamentare ka dhënë urdhër të ruhet “çdo kokërr orizi” e të shtohen përpjekjet kushtuar bujqësisë.

Këtë javë, edhe vetë media shtetërore ne Penian e promovoi konsumin e mishit të mjellmës së zezë, duke thënë se ai është i shijshëm dhe përpos të tjerash, ka edhe vlera mjekësore.

Koreja e Veriut është përballur prej kohësh me një ngërc në furnizimin me ushqime.

Vëzhguesit thonë se kjo situatë i detyrohet sa keqmenaxhimit ekonomik, ashtu edhe sanksioneve ndërkombëtare të vendosura për shkak të programit të saj bërthamor, fatkeqësive natyrore e tani edhe pandemisë së koronavirusit, që ka sjellë një bllokadë kufitare të paprecedentë.