Në vendin e paradokseve

Veton Nevzadi

Kryhet e diela dhe vjen dita e hëne, shkojnë javët, muajt dhe ndërrohen vitet, e gjendja mbetet gjithnjë e njëjtë. Është ky vend i paradokseve ku thuhet me zë të lartë se ka rritje ekonomike dhe mirëqenie, e ku raportet flasin po ashtu për rritje të papunësisë dhe varfërisë.

Ku fakultetet prodhojnë gjysmë profesionistë – gjysmë analfabetë me diplomë në dorë, ku shteti jep për kulturën aty ku prodhohet më së paku kulturë, ku rinisë aq të madhe në numër i premtohet e ardhmja, por kurrë e tashmja.

Është ky vendi ku të gjithë kanë të drejtë në diçka dhe ku të gjithë e kanë gabim njëkohësisht. Ku gënjeshtra okupon shumë hapësirë, ndërsa e vërteta mjegullohet deri në çmenduri.

Vendi ku je i detyruar ti dëgjosh dhunshëm predikimet politike të lloj-lloj matrapazi, e ku shteti sillet sikur është pjesë e funeralit të tij, i cili sapo ka dhënë frymën e fundit.

Nuk po më mbushet mendja assesi që po shkojmë rrugës së duhur për ku ishim nisur si shoqëri. Kosova dalë ngadalë po e zhvendosë kursin e saj të lënë amanet nga gjithë ato gra, burra e fëmijë që dhanë jetën për të jetësuar ëndrrën e shumë brezave për lirinë, demokracinë dhe prosperitetin.

Shihni zhvillimet politike dhe sjelljet e akterëve të politikës në Kosovë pas zgjedhjeve të tetorit.

Hamendem dhe pyes, a thua ka lexuar ndonjëri nga këta individë për shembujt e burrështetasve që i mbanë mend historia botërore?

A din ndonjëri nga këta individë me dhanë ndonjë shembull që do të mbahej mend në analet e historisë së demokracisë tonë të re?

Për fat te keq, te gjithë sillen me logjikën e linçimit dhe përbuzjes, me logjikën e fisit e përjashtimit, duke mos llogaritur pasojat e këtyre veprimeve që po e mbajnë peng shpresën ne vendin tone këto ditë.

Të gjithë, pa përjashtim po dëshmojnë se nuk dallojnë shumë duke kopjuar modelin që e ka katandisë vendin tonë në këtë nivel!/Mediafokus/