Në Viti arrestohet një person që dyshohet për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës, pas një pune të gjatë hetimore ka arritur të zbulojë një rast ‘’vjedhje e rëndë’’ dhe një tjetër “vjedhje e rëndë në tentative’’ që kishin ndodhur gjatë vitit 2018 në kishën katolike të Letnicës, komuna Vitisë.

“Sot më 20 dhjetor 2019, nga policia e Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar një i dyshuar, shqiptar, shtetas i Kosovës, i cili dyshohet të jetë i involvuar në këto vepra penale”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Janë gjetur fakte të qëndrueshme se i dyshuari pasi kishte depërtuar me forcë brenda objektit të kishës katolike në Letnicë, nga aty ka marrë para në vlerë 130 euro (kartëmonedha dhe para të metalta).

Në rastin e dytë që kishte ndodhur pas një kohe, po në vitin 2018, në të njëjtin lokacion, i dyshuari ka tentuar që të depërtojë po me forcë, mirëpo pasi që është aktivizuar alarmi, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe rasti ka mbetur në tentativë.

Policia e Kosovës në Viti, është mirënjohëse dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin drejt zbulimit të veprave penale.

Falë këtij bashkëpunimi me qytetaret, vetëm gjatë muajit dhjetor, njësitet e hetimeve kanë arritur t’i zbulojnë edhe gjashtë raste të tjera të “vjedhjeve”, ka thënë togeri Ismet Hashani, zëdhënës rajonal i PK-së në Gjilan.