Në Viti rriten sërish rastet me Covid
Sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, 48 të infektuar me Covid janë nga Vitia.
Aktualisht, në këtë komunë janë 103 raste aktive.
‘Rastet aktive janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë duke u trajtuar në mënyrë ambulantore apo në shtëpi’, ka thënë drejtoresha e QKMF, dr Vjollca Kadolli Halili.
Janë testuar personel arsimor dhe nxënës nëpër shkolla dhe do të vazhdohet edhe ditëve të ardhshme.
‘Ka një numër nxënësish të infektuar, por për momentin nuk ka vend për panik’, ka thënë Kadolli, duke shtuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet komunale, Task Forcën e DKA dhe drejtorët e shkollave dhe varësisht nga situata, do të kordinohen veprimet e ardhshme.
Ajo ka ftuar qytetarët që të testohen e vaksinohen, sepse kjo është mënyra e vetme, krahas respektimit të masave tjera, për mbrojtje nga Covid.
‘Teste rapide për testimin e të dyshuarve kemi mjaftueshëm, prandaj të gjithë ata qytetarë që kanë simptoma të dyshimta, mund të testohen në QKMF, në orarin prej 8.00-12.00’ – thotë drejtoresha Kadolli.
Testimi dhe trajtimi i pacientëve me Covid apo të dyshuar për Covid, bëhet në katin e parë të QKMF.
Sot janë vaksinuar 125 qytetarë, 25 me dozë të parë, 21 me dozë të dytë dhe 79 me dozën e tretë. Janë vaksinuar edhe 5 nxënës.

