Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 6 koalicione parazgjedhore
Ka përfunduar afati për aplikimin e partive politike për koalicione parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për gazën Nacionale, se në KQZ kanë aplikuar për certifikim 6 koalicione parazgjedhore.
“Gjatë periudhës 15 ditore (16 gusht – 30 gusht 2024) dhjetë (10) parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit për pjesëmarrje në Zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, ka thënë ai, duke treguar emrat e koalicioneve.
“1. Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT; 2. Aleana për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koaliconit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30; 3. Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA; 4 Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin e koalicionit: KOALICIJA VAKAT; 5. Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim, me emrin e koalicionit: PDAK – LpB; 6. Partia e Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re, me emrin e koalicionit: LISTA PËR FAMILJEN AKR PD”, ka thënë ai.
Elezi ka treguar se tri parti politike kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Gjithashtu, KQZ njofton se ka përfunduar edhe periudha për partitë politike të regjistruara në Kosovë që të njoftojnë se nuk dëshirojnë të garojnë në zgjedhje. Gjatë kësaj periudhe (16 gusht – 30 gusht 2024) tri (3) parti politike të regjistruara kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të certifikohen për zgjedhje, si në vijim: 1. Partia Demokratike e Diasporës; 2. Lëvizja për Bashkim; 3. Partia Balliste.”, ka thënë ai.
Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja kanë bërë me dije se nuk do të bëjnë koalicione parazgjedhore me ndonjë subjekte të vençat politike. Zyrtarët e këtyre partive kanë bërë me dije se janë të hapur që në listat e tyre zgjedhore të fusin njerëz të fushave të ndryshme, por edhe personalitet tjera nga partitë më të vogla.
Ende nuk është qartësuar raport i partisë në pushtet, VV-së, me dy subjektet tjera të vogla politike, Lista Guxo dhe Alternativa.
Këto dy të fundit, në zgjedhjet e kaluara kanë qenë pjesë e listës zgjedhore të VV-së.
Duket se e njëjta praktikë do të ndiqet edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

