‘Negotiating peace’ shfaqet të premtën në Teatrin e Gjilanit
Nesër mbrëma (e premte, 20 tetor) në Teatrin e Gjilanit | Qendra Multimedia, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali), Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani), Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki), R.A.A.A.M (Estoni), Mittelfest (Itali), Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë), Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi) prezantojnë shfaqjen ‘NEGOTIATING PEACE’ e Jeton Nezirajt dhe regjinë e Blerta Nezirajt.
Luajnë: Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrom, Ejla Bavcic, Martin Kõiv, Melihate Qena, Orest Pastukh.
Rreth shfaqjes
Negocimi i paqes pas konflikteve të armatosura është sfidë komplekse diplomatike.
Në disa raste, arrihen marrëveshje të paqes; në disa të tjera, paqja e plotë nuk arrihet kurrë ose thjesht mbetet një marrëveshje në letër.
Luftat dhe konfliktet e shumta, ngrisin pyetje të shumështresuara dhe lënë prapa paqartësi, të cilat e bëjnë paqjen të vështirë.
Duke u nisur nga negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke e paramenduar si do të duket fundi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Qendra Multimedia ka bërë bashkë një ansambël pan-evropian për të krijuar NEGOTIATING PEACE. Ky produksion është krijuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.
E frymëzuar nga libri I Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, NEGOTIATING PEACE tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?/Mediafokus/
