Nëse nuk miratohet buxheti, vendi rrëshqet në krizë financiare

Avdyl Jerliu

Nëse nuk miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2020 në afatin  ligjor, kjo do të  nënkuptonte  një kolaps shtetëror në aspektin financiar.

Zakonisht, vendet në tranzicion dhe me demokraci të brishtë janë të predispozuara të krijojnë këso lloj krizash politike, buxhetore e çka jo tjetër.

Në këto vende, siç është edhe Kosova jonë e dashur, pas zgjedhjeve politike krijohen paqartësi dhe situata të pakëndshme.

Zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, e shpërfaqën paaftësinë e subjektit politik fitues për ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe tani po na e rrezikon funksionimin e shtetit në aspektin financiar.

Kjo logjikë e të bërit politikë nuk duhet vazhduar që sa herë të kemi zgjedhje parlamentare ta rrezikojmë funksionimin e shtetit të Kosovës  në aspektin financiar, politik dhe kombëtar.

Kjo legjislaturë duhet të marr obligim që ta rregullojnë në aspektin ligjor këtë problematikë rreth miratimit të buxhetit dhe mos ta fusin vendin çdo të dytin vit në kolaps financiarë.

Duhet që kjo legjislaturë të bëjë reformën zgjedhore të shumë përfolur dhe të premtuar para të gjitha zgjedhje, vite me radhë.

Të jenë të vëmendshëm edhe në rishikim të  buxhetit sepse ka tre vite radhazi që nuk është rishikuar buxheti dhe dihen pasojat.

Nëse nuk ka rishikim të buxhetit, atëherë nuk ka ridestinim të mjeteve financiare dhe ka mungesë të realizimit të projekteve, ku  nuk mundet të shpenzohet buxheti në bazë të nevojave të entiteteve buxhetore.

Ligji mbi menaxhimin e financave publike

Ligji mbi menaxhimin e financave publike thotë në mënyrë decidive se buxheti i shtetit duhet të miratohet  më së largu deri më datë  31 dhjetor të  çdo viti fiskal.

Data 31 dhjetor mund të përjashtohet në këto rrethana vetëm nëse zgjedhjet  janë mbajtur në 4 mujorin e fundit  të vitit fiskal.

Në këto raste ka mundësi të shtyhet miratimi i buxhetit dhe shkohet në shfrytëzim të buxhetit edhe për dy muajt e ardhshëm të vitit të ri fiskal dhe ndahet 1/12 e buxhetit të vitit fiskal.

Nëse deri në muajin prill nuk mundet  të miratohet buxheti atëherë do të ketë krizë buxhetore dhe bllokadë financiare.

Në raste të tilla, Kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës mund ta autorizojë Ministrin në detyrë të financave për shfrytëzimin e buxhetit edhe për muajin mars, pas kësaj periudhe ligjore të gjitha kodet buxhetore bllokohen dhe Kosova futet në krizë të thellë buxhetore – bllokadë  financiare.

Duam të besojmë që klasa politike e Kosovës të arrijë një marrëveshje për ndërtimin e institucioneve për të qeverisur vendin, sepse nuk ua kemi borxh të na lënë pa paga, pa barna, pa ndihma sociale për kategoritë e ndryshme të shoqërisë, pa përkujdesje institucionale me një fjalë pa zot shtëpie, vetëm e vetëm për t’i realizuar ambiciet sëmura.

Qytetarët e kanë kryer punën e tyre me 6 tetor dhe e kanë autorizuar me votë partinë politike fituese që t’i përfaqësojë interesat e Kosovës, duke i krijuar institucionet e vendit në kohë reale dhe në afat ligjor dhe jo t’i përfaqësojë interesat e individëve të sëmurë për pushtet, ku interesin e vetë e vendosin para interesit të Kosovës.

Nëse nuk do të  ndodh krijimi i institucioneve, atëherë duhet të mendohet opsioni tjetër që partitë poltike të tregojnë vullnet dhe të jenë të  gatshme  për të bashkëqeverisur së bashku në një qeveri teknike për një  periudhë të caktuar, me qëllim që ta zhbllokojnë vendin dhe ta miratojnë   buxhetin, mandej ta përgatisin vendin për zgjedhje të reja.

Nëse rastësisht nuk miratohet buxheti në afat ligjor, shteti i Kosovës do të hyjë në një bllokadë financiare që do të jetë shumë serioze dhe e rrezikshme për vendin./MediaFokus/