Nëse s’është vonë, tash është koha për një qeverisje të sinqertë në Kosovë
Urime festat e nëntorit për të gjithë shqiptarët të cilët e meritojnë këtë urim! Po i falim edhe ata shqiptarë të cilët pa vetëdije, apo pa qëllim kanë bërë vepra jo të mira për kombin shqiptar; por jo edhe, edhe ata të cilët me vetëdije dhe me qëllim, apo për interesa të ndryshme kanë kryer veprime të dëmshme për kombin SHQIPTAR!
Pos këtij urimi me shkas, po e shpreh edhe një dëshirë, të cilën besoj e kemi shumica e shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në botë.
Dëshira është: më në fund, të na vijnë në pushtet dy kryeministra maksimalisht të merituar, në Kosovë, pse jo edhe në Shqipëri.
Por teksti i mëposhtëm i dedikohet Kosovës, ku edhe vazhdoj të jetoj deri në vdekje!
“Mjaft është mjaft”.
Deri më sot në Kosovë kanë udhëhequr me qeverinë tetë kryeministra dhe asnjëri s’i ka kaluar tri vite në një mandat qeverisës.
Por çka është më e keqja me qeverisjen e asnjërit s’janë ndarë të kënaqur shumica e popullatës në Kosovë.
A jemi fajtorë edhe ne shumica e shqiparëve në Kosovë? Po! Ne duke votuar, me vetëdije, pa vetëdije, me dhe pa qëllim të pamerituarit; prej asamblesitëve deri te parlamentarët e Kosovës po e ndihmojmë keqqeverisjen lokale dhe sidomos atë qendrore.
Kemi pasur kryeministra nga më të ndryshmit: me aftësi maksimale, mesatare dhe minimale; por çdonjërin e ka mashtruar diçka dhe kanë bërë gabime deri në atë masë sa shumica e tyre janë të pafalshme.
Po dëshirojmë një kryeministër, i cili do ta sundonte së pari veten 100% dhe pastaj të gjithë të tjerët. S’do ta lejonte pa e ndëshkuar, dënuar, shkarkuar nga posti asnjë nga vartësit e tij, i cili do të bënte gabimin minimal në dëm të shtetit të Kosovës.
Një kryeministër, i cili në çastin që do të merrte postin e kryeministrit do t’i harronte të gjitha veprimet e mundshme të këqija: do ta harronte interesin partiak, klanor, familjar, personal; por do të punonte vetëm për të mirën e Kosovës.
Kjo dëshirë mund të duket ide iluministe, utopike. Por, a është e mundur të zbatohet në jetë? PO!
Vetëm kryeministri në fjalë duhet ta sundonte vetveten dhe pastaj të tjerët e ka shumë më të lehtë t’i sundojë!
Po urojmë kjo dëshirë e të gjithë shqiptarëve të cilët ia dëshirojnë të mirën Kosovës të realizohet dhe mos të mbetet vetëm ëndërr e parealizuar!
Kjo është pa dyshim dëshirë e të gjithë shqiptarëve të Kosovës, së paku në mendjen e tyre edhe pse një pjesë ende s’janë të gatshëm ta shprehin në opinion, duke manipuluar me veten, duke e mashtruar veten me interesa të ndryshme personale të çastit.
Urojmë kjo dëshirë të realizohet sa më parë që është e mundur, që ta përjetojmë edhe ne të moshuarit!
Ngase besoj që kjo do të ndodhë një ditë, por urojmë sa më parë; që mos të bëhet vonë.
Nëse s’është vonë, tash është koha më e nevojshme për një qeverisje të sinqertë në shtetin e Kosovës.
Ju kërkoj falje atyre të cilët mund të më keqkuptojnë!
Ju faleminderit për mirëkuptim, me respekt të veçantë për ata që e meritojnë respektin tim!
Prof. Ma. Ali Rexhep Mehmeti

