Nesër merret një vendim i rëndësishëm për kosovarët për liberalizimin e vizave

Procesi i liberalizimit të vizave do të shkojë edhe një herë në Komitetin e Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE).

Kështu ka konfirmuar zëdhënës i Parlamentit Europian, Ojamo Janne.

“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, ka thënë Janne për Insajderin.

Ai ka zbardhur edhe agjendën se si do të procedohet tutje.

“…votimi në LIBE është planifikuar për 23 mars”, thotë tutje Janne në një përgjigje për Gazetën Insajderi.

Derisa sipas Parlamentit Europian, votimi i fundit për vizat do të bëhet në seancë plenare që do të jetë më 18 prill.

Ndryshe, më 9 mars, Këshilli i Ministrave të BE-së ka votuar pro liberalizimit të vizave për kosovarët.