Nesër miratohet projektligji për pagën minimale

Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, do të votohet nesër, në mbledhjen e Qeverisë.

Paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, ka thënë Kurti, duke shtuar se paga deri më këtë shumë nuk do të tatimohet.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojë secila familje në Kosovë.

“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”, ka deklaruar Murati.

Siç dihet, sindikatat nuk e kanë pranuar këtë propozim dhe kanë kërkuar që paga minimale të jetë mbi 400 euro.