Nesër vijnë në Gjilan ‘Motrat’ e Baletit Kombëtar
Nesër, e mërkurë, 15 shkurt, në Teatrin e Gjilanit jepet shfaqja e jashtëzakoshme e Baletit Kombëtar të Kosovës ‘Sisters’ (Motrat), me koreografi të koreografit të njohur botëror Mehmet Balkan.
“Sisters” shtjellon historinë e dy motrave të cilat dashurohen në personin e njëjtë. Si pasojë lind xhelozia dhe intrigat ku e gjithë historia rezulton me epilog tragjik.
Baleti “Sisters” është një vepër origjinale e koreografit Balkan e cila hyn te baletet neo-klasike, ku lëvizjet e sofistikuara të balerinëve të BKK, ndërthuren me interpretimin emocional të secilit balerin në skenë, për ta bërë kështu një shfaqje të kompletuar artistike dhe të pëlqyer për publikun.
Koreografi i njohur Mehmet Balkan, i cili është njëri nga bashkëpunëtorët kryesorë të BKK-së tash e sa vite, shquhet për krijimet e tij artistike, ku muzika origjinale e autorëve të përzgjedhur nga vet koreografi, shkrihet natyrshëm në koreografinë e tij bashkëkohore dhe neoklasike.
Te baleti “SISTERS”, do të keni mundësinë të shihni këto elemente të koreografit Baljan, nën tingujt e kompozitorit Erim Ardal dhe interpretimin mjeshtëror të balerinëve tanë.


