Neveritem kur dikush thotë “grua burrneshë”
Lirie R. Aliu
‘Burrneshë’?????? (femra virgjine që jetuan si meshkuj, por në kohërat më të pafavorshme për femrat shqiptare, kjo tashmë është histori)
Neveritem kur dikush thotë: “pos burrë me qenë”, ” Ke mbajtë qëndrim burrnor”, “Po punoke si një burrë”, e as edhe thënia “qenke sa shtatë burra” edhe pse shumica e femrave e marrin për kompliment, paramendoni në këtë shekull!
Gruaja nuk është burrneshë. Pavarësisht çfarë kuptimi pozitiv i jepet kësaj fjale, ajo në mënyrë eksplicite e bën burrin standard të vlerësimit, boshti rreth të cilit gruaja sillet.
Por burri nuk është standard i vlerësimit, e nëse është mundet me qenë standard vetëm për burrat tjerë dhe atë të një kulture regjionale.
Standardet nuk i përkasin asnjë gjinie.
Gruaja e guximshme apo e mençur nuk është burrneshë sepse standardi sipas të cilit vlerësohet një sjellje është standard i njeriut në kuptimin që ato janë të aplikueshme për çdo njeri, pavarësisht gjinisë apo identiteteve tjera.
Prandaj, sjellja fisnike e kuptimplotë e disa femrave nuk quhet burrëri, kjo është qesharake.
Sjellja e tyre tregon parimet që këto gra kanë përvetësuar.
Në to ne shohim veten si duhet të jemi, si duhet të bëhemi.
Ato na tregojnë shembëlltyrën e njeriut fisnik e të guximshëm, e jo vetëm të gruas apo të burrit.
Nuk janë pra as sjellje burrërie dhe as sjellje prej gruaje, por sjellje njerëzore e formës më të lartë.

