Nexhmije Kurtalani ishte ndër sportistet e para të Gjilanit
Nexhmije Kurtalani, e lindur më 1 maj 1963, në Kolarë të Smederevës, ishte një ndër sportistet e para vajza nga Gjilani. Ajo i përket një familje të madhe sportistësh, në disa disiplina.
Gjatë viteve 1980-1981 Nexhmija ishte lojtare në klubin e basketbollit “Mladost”, pastaj nga viti 1983-1984 kalon në klubin e bashketbollit “Universiteti i Prishtinës”.
Nexhmija pati shumë përkrahje nga familjarët e saj, të cilët gjithashtu merreshin me sport dhe të gjithë ata u munduan t`i sjellin trofe e rezultate qytetit të Gjilanit.
Babai Islam Kurtalani ishte anëtar i klubit futbollistik “Kolarac” në Smederevë. Vëllai i madh, Musli Kurtalani ishte anëtar i klubit të shahut “Partizan” dhe dikur trajner i shahut.
Vëllai i dytë, tashmë i ndjerë, Shemsi Kurtalani ishte bokser i njohur klubit të boksit “Partizan” Gjilan, “Pelister” në Maqedoni, anëtar i reprezentacionit të Kosovës në boks dhe pjesëmarrës në Olimpiadën e boksit në Rusi, ku mori medalje të argjentë në kategorinë gjysmë të rëndë.
Nexhmije Kurtalani jetoi në Gjilan nga viti 1972 deri në vitin 1984, kur shkoi në Gjenevë të Zvicrës.
Fotot e Nexhmijes dhe të klubit i ka siguruar Arijeta Maka nga ‘Gruaja Hynjore’. /Mediafokus.info


