Nga cili kundërkandidat kishin më shumë frikë garuesit për kryetarë Komune në vitin 2007?
Në Gjilan, për postin e kryetarit të Komunës, në vitin 2007, kishin garuar tetë kandidatë: Xhemajl Hyseni (LDD), Qemajl Mustafa (PDK), Lirie Kajtazi (LDK), Sabedin Kadriu (AAK), Halim Vranovci (ORA), Islam Zuzaku (AKR), Hetem Bajrami (KP) dhe Faton Bislimi (KP).
Ja si ishin përgjegjur ata në tri pyetje:
Çka ju ka motivuar të kandidoni për Kryetar?
Xhemajl Hyseni (LDD): Së pari, listat e hapura dhe votimi i drejtpërdrejtë për kryetar komune ka qenë motivi kryesor që unë të përballem me qytetarët e Gjilanit, duke e vu tërë kontributin tim 18-vjeçar në lëvizje për pavarësinë e Kosovës, në njërën anë dhe, angazhimin 7-vjeçar timin në ndërtimin e institucioneve lokale, në anën tjetër. Së dyti, dëshira që së bashku me qytetarët, përfundimisht në Gjilan të instalojmë një institucion në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarit, një shërbim efiqient civil komunal, një shërbim të ngritur profesionalisht dhe të përgjegjshëm para detyrës dhe para qytetarit të komuës së Gjilanit. Së treti, si motiv kryesor është finalizimi i procesit të pavarësisë së Kosovës, me Gjilanin si pjesë të saj, dhe me qytetarë që do të kenë një letërnjoftim të ri – qyetatarë të Kosovës së Pavarur.
Qemajl Mustafa (PDK): Arsyeja themelore dhe thuaja e vetmja që më ka shtyrë të kandidohem për postin e të parit të komunës së Gjilanit është dashuria që unë kultivoj për vendin tim dhe njerëzit e këtij vendi, pa asnje dallim. Kjo do të thotë se mua më është bërë thirrje e brendshme dhe e pashtyeshme e kohës për ndryshime rrënjësore në mendësinë e qeverisjes në këtë komunë. Qytetit i duhet siguruar frymëmarrje e lirë në trafik, qytetit i duhet ujë i pijshëm dhe i bollshëm, qytetit i duhet trajtim dinjitoz për rininë, qyteti meriton një sistem tjetër arsimor, një politikë tjetër taksash, qytetit i duhet administratë moderne, efikase dhe qind për qind transparente, qytetit i duhet trajtim i barabartë dhe dinjitoz ndaj të gjithë individëve dhe grupimeve të interesit … Për fat të keq, të gjitha këto nuk i kishte, sepse nuk pati kush të përkujdesej që t`i kishte. Duhet përfundimisht t`i themi STOP autokracisë dhe fshehjeve prapa fajësisë tashmë të dëshmuar me konstatimet e trupave relevante të kontrollit në këtë komunë.
Lirie Kajtzi (LDK): Në radhë të parë, më ka motivuar besimi i dhënë nga partia, të cilët i përkas. LDK-ja ka bërë kandidimin tim për postin e kryetarit të komunës në Gjilan dhe kjo është përkrahur në tërësi nga të dyja nivelet e kryesive, si ajo qendrore, ashtu edhe nga dega në Gjilan. Gjithashtu, një përkrahje kandidaturës sime i kanë dhënë edhe nëndegët tona në teren. Dhe, ajo që është më qenësore, përkushtimi im për gati dy dekada në aktivitet politik, përballja me sfida të ndryshme gjatë okupimit dhe pas, mishërimi me problemet e qytetarëve gjatë kësaj ecje dhe, para së gjithash, gjatë viteve të fundit, kur ka pas një qasje jo të drejtë të pushtetit ndaj qytetarit dhe, duke e parë për së afërmi këtë, nga pozita që kisha në këtë mandat, si zëvendëskryetare e komunës, besoj që zgjedhja ime e mundshme në krye të komunës do ta rikthej besimin e qytetarit ndaj pushtetit.
Sabedin Kadriu (AAK): Qeverisja e keqe, grumbullimi i problemeve, injoranca e pushtetit ndaj qytetarit si dhe guximi im si qytetar i Gjilanit, për ndryshime, kanë qenë burim i motivit tim për kandidim në këtë garë për kryetar Komune.
Halim Vranovci (ORA): Kam hyrë në garë për të ndryshuar gjendjen e tashme dhe jam i vetëdijshëm për trendet e përgjithshme mjaft negative, thuaj në gjitha segmentet e jetës, për një keqmenaxhim të parasë publike, ashtu si edhe edhe sukseset, pa dashur në asnjë mënyrë që t`i minimizoj ato. Kjo gjendje, veç tjerash, në masë të madhe është pasojë e keqqeverisjes qendrore dhe lokale, që buron edhe nga papërgjegjësia, joprofesionalizmi, interesat partiake, klanore, me ndikim në vendimmarrje, konflikti i brendshem i subjektit politik, teket dhe inatet e të tjera. Arsimdashësit gjilanas, shpresoj të mos e kenë harruar punën time mbi 30 vjeçare, mjaft të suksesshme, si në vitet 80 –ta dhe 90-ta, ashtu edhe pas lufte. Falë edukatës familjare, përcaktimit të drejtë kombëtar, punës shumë të përkushtuar profesionale, ndihem krenar e ballëhapur të kërkoj votën që edhe një herë t`iu shërbejë me devotshmërinë më të lartë gjithë banorëve të komunës sonë.
Islam Zuzaku (AKR): Përkushtimi im, përkrahja e parezervë e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe programi i AKR-së më kanë motivuar që të kandidohem për kryetar të komunës së Gjilanit. Shpallja e kandidaturës sime për kryetar të komunës është një obligim, të cilin e kam pranuar me gjithë qenien time fizike dhe shpirtërore, vetëm e vetëm për t’iu dalur në ndihmë bashkëvendësve të mi, të cilet meritojnë një jetë më të mirë dhe krejt ndryshe. Gjilani është vend i mrekullueshëm për të jetuar dhe punuar, dhe ne e dimë se qyteti mund të jetë më i bukur, më i pastër, më i gjelbër dhe më i sigurt për të jetuar në të. AKR-ja ka qëllim të qartë dhe të sinqertë për të punuar shumë në përmirësimin e kualiteteve të shërbimit dhe për të krijuar vende të reja pune.
Hetem Bajrami (KP): Janë dy elemente që më kanë shtyrë për t`u kandiduar për kryetar komune në Gjilan, si kandidat i pavarur. E para është se të gjitha këto subjekte politike nuk e kanë luajtur rolin që kanë mundur ta luajnë, sepse kanë harxhuar shume energji në kritika të ndërsjella dhe, e dyta, dëshira që e hetoj në popull për të pasur ndryshime, që do të thotë se janë të pa kënaqur me gjendjen që kanë, e ku bëjë pjesë edhe unë. Qe 35 vite tentoj dhe jap aq sa mundem për të ndryshuar gjendjen. E ndjej veten të aftë për të dhënë kontribut edhe më dhe kam besim te vetja se mund të bëj më të mirën për qytetarët e mi, më konkretisht për tërë komunën e Gjilanit.
Faton H. Bislimi (KP): Mundësia për të bërë ndryshime pozitive për Gjilanin. Është koha që më në fund komuna jonë të qeveriset në mënyrë profesionale dhe të ecet drejt progresit. Qytetarët janë dëshmitarë të ngecjes. E rëndësishme është të ceket, se vullneti im për ta vënë në disponim dhe në të mirë të vendlindjes sime gjithë kapacitetin tim, nuk ka asnjë lloj interesi personal apo familjar. Jam i shkolluar në SHBA dhe mbajë dokumentacion të rregulltë pune në SHBA si dhe kam shtetësi kanadeze. Por, dua që të gjithë atyre që mendojnë të ikin nga Gjilani në botën e jashtme, veçanërisht rinisë, t’iu krijojë mundësi përparimi këtu, duke dhënë edhe vetën time si shembull të mundësisë për punë të frytshme këtu.
A iu frikësoheni kundërkandidatëve?
Xhemajl Hyseni: Jo, aspak, por rrespekt i veçantë për secilën kandidaturë që garon për postin e kryetarit.
Qemajl Mustafa: Për fat të mirë në këto zgjedhje, unë kam më shumë kundërkandidatë e që është për t’u respektuar. Gëzoj respekt për të gjithë kandidatët, sespe vetë akti i marrjes së kurajos për t’u kandiduar nga secili prej tyre flet për guximin dhe gatishmërine e tyre për marrjen e përgjegjësisë. Nuk ndjej asnjë lloj hezitimi a frikë në këtë garë, sepse thellë jam i bindur se posedoj ndjenjën e përkushtimit për të ndryshuar shumëçka në këtë komunë në kahun pozitiv të zhvillimeve. Posedoj edhe njohuri solide rreth menagjimit me pushtetin local, sepse pesë vitet e fundit isha pjesë aktive e asamblesë komunale. Uroj shumë suksese për të gjithë kandidatët në këtë garë dhe natyrisht, pres fitore të sigurtë, të cilën, asnjëherë nuk do ta trajtoj vetëm si fitore timen dhe të PDK-së, por para se gjithash fitore te qytetarisë në Gjilan.
Lirie Kajtazi: Jo. Aspak. Jam përballë me gjëra edhe më të mëdha. Besoj në fuqinë time dhe besoj në qytetarin e komunës së Gjilanit. Qytetarët tanë dinë të jenë shumë falënderues. Ata nuk kërkojnë të pa mundshmen nga ne, por ndarje të drejtë në të mundshmen.
Sabedin Kadriu: Kur është fjala për kundërkandidtaët, nuk kemi të bëjmë me frikën, por me respektin ndaj tyre. Besoj se të gjithë janë të respektuar nga unë, por gjithnjë duke patur parasysh se jam me i mirë se ata si kandidat.
Halim Vranovci: Jo. Sepse në garë nuk jam patjetër për të qenë fitues. Eshtë shumë e dëshirueshme që rregullat e lojës të jenë fer për të gjithë kandidatët garues dhe të mos ironizohet asnjëri. Më gëzon fakti që për herë të parë po i nënshtrohemi testit popullor. Për mua, listat e hapura dhe dalja masovike në vendvotime, janë dy momente shumë të rendësishme që mundësojnë demokratizim dhe përzgjedhje të kandidatit më të mirë të mundshëm, në këtë post me shumë përgjegjësi.
Islam Zuzaku: Jo, definitivisht, sepse në garë do hyjë me një moral të pastër, me një pjekuri politike dhe me përgatitje të lartë profesionale. Unë jam i përkushtuar ta fitoj garën dhe aspak nuk jam i përqendruar në kundërkandidatët e mi dhe se frika te unë nuk zë vend. Unë kam të drejtë më shumë se secili që qytetarëve të Gjilanit t`ua kërkojë votën. Për shumë arsye AKR-ja është alternativa dhe zgjidhja më e mirë për ta.
Hetem Bajrami: Kandidatët e partive politike kanë përparësi, sepse prapa tyre qëndrojnë subjektet e organizuara, por nga ajo që shihet, orientimi i partive është jo i drejtë, andaj ata do të ballafaqohen edhe me pengesa, sepse duhet pyetur përherë “çka thotë partia”, e këtë pengesë, unë si i pavarur nuk e kam. Nëse fitoj, prioritet imi do të ishte tentimi për investime të reja, tentimi për parandalimin dhe ndërprerjen e plotë të dukurive negative, në të gjitha ato shërbime që janë për të gjithë
qytetarët, e jo si deri më tani që po ndikohen nga ngjyrimet politike.
Faton Bislimi: Së pari, unë i respektoj si individë të gjithë ata që pretendojnë kreun e Gjilanit. Nuk i frikohem asnjë kundërkandidati, pasi që puna ime dhe e kaluara ime janë të pastërta dhe me vlera të pakontestueshme. Duke qenë politikisht i pavarur, unë përfaqësoj të gjithë gjilanasit dhe do të punoj për të gjithë në mënyrë të barabartë, e jo për grupe të veçanta të interesit apo politikës. Prandaj, besoj se jam kandidati që simbolizon jo vetëm dëshirën, por edhe mundësinë reale për ndryshime pozitive në Gjilan.
Si do t’i zgjidhni problemet urbanistike në qytetin tuaj?
Xhemajl Hyseni: Periudha dy vjeçare është periudhë relativisht e shkurtër në raport me problematikën urbanistike të komunës së Gjilanit, por unë qyetetarëve të komunës së Gjilanit do t`iu bëjë një ofertë nëpërmes planit urban të qytetit dhe planit zhvillimor komunal të Gjilanit, në të cilin do të inkorporojmë zgjidhjet urbanistike më optimale për qytetin e Gjilanit dhe për zonat rurale, ku do të përfshihet edhe zgjidhja e problemeve akute që ka qyteti i Gjilanit.
Qemajl Mustafa: Këtë do ta bëj me afrimin e alternativave për tokë ndërtimore publike për qytetarin, e cila duhet të jetë me çmim të kapshëm për xhepin e tij dhe joshëse në planifikim dhe ofrim të infrastrukturës. Me debat dhe dialog të përhershëm me qytetarin, i cili ka shumë nevojë për shpjegime nga institucioni dhe i cili përherë kupton dhe është kooperativ, nëse qasja ndaj tij është e drejtë. Do të kem një qasje ligjore 100% të barabartë ndaj të gjithëve, pa dallim dhe do të merremi me shpjegime qysh në zanafillë të problemeve në mënyrë që ato t`i zgjidhim me kohë, pa e shkaktuar shëmtinë e qytetit dhe pa humbje për qytetarin. Do t`i bëjmë me kualitet dhe shpejtesi planet zhvillimore strategjike, rregullative e detale urbanistike dhe të themelojmë një shërbim efikas të inspeksionit të ndërtimit e po qe nevoja edhe një njësi të vacantë policore, qoftë si njësi e specializuar e SHPK-së, ose si polici ndërtimore, qysh edhe ekziston në plot vende. Do të inkurajoj qytetarët për rrespektimin e rendit urban me programim të duhur të pagesës së lejeve ndërtimore dhe taksave të tjera me këste mujore, në mënyrë që ai ta ketë fare lehtë për të ndërtuar atje ku e parashofin normat … Do të përkujdesem në mënyrë të vacantë për një sistem efikas të parkingjeve në qytet dhe për destinimin njëkahor të shumë rrugicave në lagjet e qytetit, ku sot qarkullimi dykahor është krejt i pamundur dhe kaotik.
Lirie Kajtazi: Mendoj se ka një infrastrukturë të mjaftueshme ligjore, e cila e rregullon këtë sferë dhe mjafton që të punojmë me përkushtim dhe pa anime në këtë drejtim. Nëse pushteti, të gjithë qytetarët i trajton njësoj, edhe mirëkuptimi i tyre nuk do të mungojë, pavarësisht se nganjëherë mund të krijohen edhe probleme të vogla. Mirëpo, për shkak të problemeve që janë krijuar në këtë fushë, disa gjëra duhet të rishikohen dhe për këtë nuk mund t’i iket adaptimit në kohezion me gjendjen ekzistuese, kuptohet aty ku ka mundësi.
Sabedin Kadriu: Ky kaos urbanistik i Komunës, vështirë se mund të zhgjidhet për një kohë të shkurtër. Unë mund t`iu garantoj qytetarëve se do ta bëjmë të pamundurën që Gjilani të frymoj lirshëm, personalisht do të angazhohem në formimin e një task-force për urbanizëm. Do të angazhohem në lejimin e ndërtimit të lartë, në mënyrë që të ruhet sa më shumë toka bujqësore.
Halim Vranovci: Në profesionin tim, literatura njeh tri rregulla të arta për zgjidhjen e problemeve aktuale, në çfarëdo lëmie qoftë. Unë do të nisem nga e thjeshta, drejt çështjeve më shumë të komplikuara, do nisem prej problemeve që aktualisht qytetari i përjeton dhe ndeshet çdo ditë me to, drejt atyre më larg dhe shumë më larg dhe, do nisem nga problemet që sot i njohim, për t`i zgjidhur sa më mirë, drejt atyre që nuk i njohim mirë, ose nuk i njohim fare, por që do t`i identifikojmë shpejt, gjatë ecjes sonë të sigurt përpara. Komuna e Gjilanit, qyteti dhe fshatrat do të jenë përditshmëria ime.
Islam Zuzaku: Kolapsi urbanistik në Gjilan është pasojë e keqmenaxhimit, keqpërdorimit dhe korrupsionit. AKR-ja nuk do të rrënojë asgjë, por do t`iu ofrojë ndihma profesionale qytetarëve, ku do të kemi parasysh që strategjia e veprimit në të ardhmen të jetë në suaza të rregulloreve dhe ligjeve urbanistike. Shkarkimi dhe menaxhimi me ujrat e zeza (Dobrusha) do të jetë prioritet i prioriteteve me të cilën AKR-ja do të merret seriozisht. AKR-ja ka programe serioze, për ta shkarkuar qytetin nga kaosi në komunikacion, për të rregulluar ndriçimin e rrugëve, trotuaret, parkingjet, vendkalimet para shkollave etj.
Hetem Bajrami: Vetë pyetja juaj është sugjestive dhe sqaruese në një mënyrë, për faktin se po pajtohem që ekziston problemi urbanistik në komunën e Gjilanit. Po prandaj, qasja ime ndaj problemit të tillë, d.m.th ndaj urbanistikës së qytetit të Gjilanit do të ishte e formës pozitiviste. Që në fillim do të rezultoj mbështetja e plotë për drejtorin për urbanizëm, rindërtimin dhe ambient që të finalizojë planin zhvillimor urban, duke iu ofruar buxhet dhe mbështetje konsultative nga ekspertë vendorë dhe nga jashtë. Me përfundimin e PZHK dhe PZHU do të diktohen veprimet e mëtutjeshme, bazuar në prioritetet e veprimit nga vetë planet.
Faton Bislimi: Problemet urbanistike të Gjilanit janë, fatkeqësisht, trashëgimi e mos-sundimit adekuat të ligjit në nivel të qeverisjes lokale. Thënë të drejtën, një pjesë e këtyre problemeve vijnë si pasojë e favoreve politike që iu janë bërë individëve apo bizneseve të ndryshme nga qeverisja lokale, por në dëm të banorëve të Gjilanit. Prandaj, të zgjidhesh një problem që dikush tjetër e ka krijuar, nuk është e lehtë, por as edhe e pamundur. Për problemet ekzistuese do të krijoja një komision të veçantë, profesionist, të pavarur, për strategjinë urbanistike të qytetit që do të vlerësonte fizibilitetin dhe mundësinë e rehabilitimit të çdo ndërtimi në kundërshtim me planin urbanistik të qytetit.
……………………..
Shënim: (Këtë garë e kishte fituar Qemajl Mustafa, në balotazh me Lirie Kajtazin.)/mediafokus.info

