‘Nga hero, shumë shpejt në zero’, Sulmi ndaj Hysenit mbështetet nga Haxhiu

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka zgjedhur që si partner në koalicion ta ketë Partinë Demokratike të Kosovës, por si duket jo të gjithëve në VV u ka pëlqyer ky vendim, përcjellë Gazeta Metro.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, përkundër kundërthënieve në mes të VV’së dhe PDK’së, ka zgjedhur që të hyjë në koalicion me këtë të fundit.

Hyseni në një deklaratë tha se tash për tash, pasi VV’ja i fitoi zgjedhjet në Gjilan, ndryshimin mund ta bëjë edhe me PDK’në në koalicion.

“Me PDK-në që ka qeverisur me Gjilanin më herët… pra PDK edhe për nga koha e qeverisjes, s’po them që mund të shfajësohet ose s’po them që po dua ta amnistoj, për ato gabime që i ka bërë në të kaluarën, por tash për tash, ndryshim edhe me PDK-në mund të bëjmë. Sepse fundja duke qenë dy mandate në opozitë, ata domosdoshmërisht e kanë të obliguar të punojnë mirë dhe drejt”, është shprehur Hyseni.

Por, kjo deklaratë nuk është se u pëlqye nga disa eksponentë brenda VV’së, ndër të cilët del të jetë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Fillimisht ishte Edison Jakurti, sekretar i Forumit për Ngritje Ideo-Politike në Vetëvendosje, që dikur ushtronte edhe detyrën e zv.ministrit të Ekonomisë në Qeverinë Kurti 1, që reagoi pas deklaratës së Hysenit se “ndryshimi mund të bëhet edhe me PDK’në’’.

Jakurti i reagoj Hysenit, duke thumbuar me këto fjalë “nga hero, shumë shpejt në zero’’, e këtë status e pëlqeu ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Duhet theksuar se ka pasur reagime të ndryshme jo vetëm nga VV lidhur me këtë koalicion, që vetëm pak kohë më parë është dukur i pamundur, për shkak të deklaratave të forta që VV ka pasur kundër PDK’së.