Nga IML-ja thonë se vetëm policia për momentin ka qasje në videot e laboratorëve
Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.
Në pyetjen rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, ka thënë të dielën Haliti.
Ndërkaq, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda në një konferencë për media ka kërkuar të zbardhet rasti i zhdukjes së mostrave të Rastit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

