Nga Londra, Kurti kërkon drejtësi për Banjskën dhe mbështetje nga Britania për t’u anëtarësuar në NATO

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në sesionin e parë të punimeve të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Londër me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, duke paralajmëruar se autoritarizmi dhe ndikimet ruse e kineze po rrezikojnë stabilitetin e kontinentit. Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse gjeografikisht janë brenda Evropës, ende mbeten jashtë strukturave të BE-së dhe NATO-s, gjë që krijon, sipas tij, “një boshllëk të rrezikshëm sigurie”.