Nga Tirana në Uashington: Rama dhe beteja për narrativën e luftës së Kosovës
Izmi Zeka
Fjalimin e Edi Rama nuk e shoh si diçka spontane. Kjo është një çështje që ai e ka ngritur disa herë më parë, në forume të ndryshme ndërkombëtare.
Por këtë herë kishte një dallim thelbësor: u tha në prani të presidentit amerikan Donald Trump.
Kur një kryeministër e përsërit të njëjtin shqetësim në mënyrë të vazhdueshme, kjo tregon se për të nuk është retorikë momentale, por bindje politike.
Duke folur sërish për zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës – dhe për procesin ndaj Hashim Thaçi, Rama po dëshmon se këtë temë e konsideron të hapur të pazgjidhur dhe të padrejtë.
Pesha e kësaj deklarate qëndron pikërisht tek vazhdimësia. Ai nuk po e ngre për herë të parë, por po e rikthen në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, në një moment dhe në një forum ku fjala ka ndikim real.
Në diplomaci, këmbëngulja shpesh është mesazh më i fortë se një deklaratë e vetme.
Kur Rama përmendi edhe rolin e prokurorit Jack Smith, mesazhi i tij mori një dimension më të fortë: një thirrje që drejtësia të mos perceptohet si selektive apo e motivuar politikisht.
Në thelb, Rama ngriti një shqetësim të qartë: a po shndërrohet drejtësia ndërkombëtare në instrument politik?
Fjalimi i tij ishte një thirrje për reflektim dhe për rishikim të një procesi që, sipas tij, ka prodhuar pasoja të rënda politike dhe morale për Kosovën
Në këtë këndvështrim, dalja e tij nuk ishte surprizë, por vazhdim i një linje të qartë I politikës zyrtare të Tiranës: ta mbajë këtë çështje gjallë në agjendën ndërkombëtare, derisa – sipas tij – të ketë një reflektim më të thellë mbi drejtësinë dhe pasojat e saj politike.

