Ngjarja tronditëse, çfarë dihet për vr*asjen e 14-vjeçarit
Vdekja e një adoleshenti në qendër të Tiranës, të hënën në mesditë, ka tronditur mbarë opinionin publik në Shqipëri.
Martin Cani, vetëm 14-vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër nga shoku i tij i klasës, shkruan A2 CNN.
I mituri u transportua për në spital, por nuk i mbijetoi plagëve. Në ngjarje mbetën të plagosur edhe një shok i viktimës dhe autori i ngjarjes, të dy jashtë rrezikut për jetën.
Të martën Policia arrestoi autorin, gjithashtu 14-vjeç.
Gjithçka nisi rreth orës 13:10 të së hënës, menjëherë në përfundim të orarit mësimor. Fillimisht, në sherr u përfshinë një grup adoleshentësh të moshës 14 dhe 15 vjeç. Ata ishin nxënës në shkollën “Fan Noli”, 200 metra larg vendit ku ndodhi dhe ngjarja, dhe disa të tjerë, nxënës në një shkolle në Sauk.
Pas debateve me fjalët banale, sherri vijoi mes tre adoleshentëve, të cilët morën dhe lëndime me thikë. Një orë pasi mbërriti në spitalin e Traumës, 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën.
Të premten, gjatë debatit të tyre ka ndërhyrë roja i sigurisë që i ka ndarë, por të hënën dy të miturit ishin përleshur ne banjat e shkollës, shkruan A2 CNN.
Më pas, viktima ka lajmëruar shokun e tij që ishte nxënës në Sauk. Pas mbarimit të mësimit ata kanë dalë dhe janë konfliktuar fizikisht disa metra larg shkollës “Fan Noli”.
Policia nuk ka ende të qartë motivet e krimit. Por nga veprimet paraprake ka dyshime që adoleshentët të jenë konfliktuar disa ditë më parë që në rrjetet sociale.
Në polici janë shoqëruar disa nxënës që ishin dëshmitarë të këtij konflikti që përfundoi tragjikisht me një vrarë e dy të plagosur. Ata janë marrë në pyetje në prani të psikologut.
Ajo që është më tronditëse në këtë histori është veprimi i autorit të ngjarjes, M.P., i cili ka postuar fotot dhe video ne rrjetet sociale me armën e dyshuar të krimit dhe plagët që kishte marrë edhe vetë.
Në një foto, adoleshenti shihet në makinë, me krahun e plagosur, dhe me dorën e majtë të ngritur në shenjë fitoreje.
Për ngjarjen tragjike pati reagime të shumtë në rrjetet sociale. Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë e konfliktit me bashkëmoshatarët, ndërsa uroi shërimin e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.
Klubi i futbollit Dinamo City, ku Cani bënte pjesë në skuadrën U-15, shprehu gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të të miturit.
Humbja e jetës së 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” ka tronditur mbarë opinionin publik dhe komunitetin e prindërve dhe të nxënësve.
A2 CNN ishte mëngjesin e sotëm në këtë shkollë, ku edhe pse është një ditë normale mësimi, pjesëmarrja është më pak se 50%.
Gazetarja Ornela Joti bisedoi me disa nga nxënëset të cilat do të marrin pjesë në ceremoninë mortore së bashku me mësuesit.
“Na thanë që orët do jenë normale po nuk besoj që do bëjmë mësim. Të gjithë jemi të tronditur. E kishim shok paralele, flisnim me të në korridore, thotë njëra prej tyre”.
Ndërsa një tjetër tregoi e tronditur për A2 CNN momentin pas ngjarjes dhe tha se viktima nuk ishte nxënës problematik edhe pse sipas saj e shanin dhe ziheshin me të, nuk reagonte.

