Ngjarje e rëndë: Burri masakron bashkëshorten me thikë, pastaj tenton të vetëvritet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot paradite kur një burrë ka masakruar me thikë të shoqen dhe më pas ka tentuar vetëvrasjen.

Ngjarja ka ndodhur në Krujë, rreth orës 10:45 të mëngjesit, brenda një makine tip “Ford” në fshatin Bubq pranë një magazine.

Mësohet se 51-vjeçari Artan Ismalaja ka goditur me thikë bashkëshorten e tij, Klarita Ismalaja e cila nuk arriti t’i mbijetonte plagët e marra.

Pas vrasjes së 45-vjeçares, Artan Ismalaja ka tentuar të vetëvritet me thikë dhe është transportuar në spital, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e vrasjes.

Njoftimi i policisë:

Më datë 05.07.2021, në orën 10:45, në Bubq, Krujë, në afërsi të një magazine, brenda mjetit tip “Ford” në pronësi të tij, dyshohet se shtetasi A. I., 51 vjeç, banues në Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., 45 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë. Më pas shtetasi A. I. ka tentuar të dëmtojë edhe veten me mjet prerës (thikë) dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.