Ngritet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

I akuzuari është një person me inicialet M.A. nga Komuna e Shtimes, i dyshuar për dëmtim të dokumenteve të votimit në zgjedhje.

Ai akuzohet për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, njoftoi sot Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet.

Me këto veprime janë “përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj”, sipas një njoftimi të Prokurorisë së Ferizajt.

Prokuroria bëri të ditur se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, “do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin”.