Nis injektimi me vaksinën e Oxford në Britani, e dyta e miratuar pas Pfizer
Pavarësisht nga lloji i ri i virusit apo rikthimi i disa masave kufizuese, Britania e Madhe në të njëjtën kohë vijon edhe procesin e vaksinimit.
Mbretëria e Bashkuar është ndër shtetet e pakta në botë që ka miratuar dy vaksina, vaksinën e prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe Bioentech dhe vaksinën e krijuar nga AztraZeneca në bashkëpunim me universitetin e Oxford.
Dhe duke nisur nga kjo e hënë në Britani nis procesi i vaksinimit edhe me vaksinën e Oxford e cila është cilësuar një produkt që kushton më pak, dhe mund të ruhet në temperatura më të favorshme çka lehtëson edhe transportin.
Më shumë se gjysmë milioni doza të vaksinës së Oxford janë gati të përdoren. Britania ka siguruar 100 milionë doza nga Oxford dhe AztraZeneca, të mjaftueshme pothuajse për të gjithë popullsinë.
82 vjeçari Brian Pinker, është i pari person të cilit iu injektua vaksina e Oxford e cila po ashtu jepet me dy doza.
Sekretari i Shëndetësisë Mat Hancock e përshkroi një “moment kyç” në luftën e Mbretërisë së Bashkuar kundër COVID-19.
Sa i përket variantit të ri të virusit ekspertët shprehen se vaksinat e prodhuara mund të jenë efektive edhe ndaj tij. Shpresat janë të mëdha por Britania sikundër shumë shtete po përballet me rikthimin e kufizimeve.
Gjatë ditës së diel në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan më shumë se 50 mijë raste të reja, nivel ky që vijon për të gjashtën ditë me radhë. Në kushte të tilla Laburistët kërkojnë një bllokim të tretë kombëtar në Angli, transmeton Euronews.al.
Pavarësisht thirrjeve nga unionet e mësuesve për shtyrjen e mësimit në shumë pjesë të Anglisë është vendosur që shkollat të rihapen.

