Nis zbatimi i marrëveshjes për tabelat
Në pikën kufitare me Serbinë në Merdare nga ora 08:00 e mëngjesit të sotëm ka nisur të zbatohet pika e dytë e marrëveshjes së 30 shtatorit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë për targat e të dyja vendeve.
Automjetet nga Serbia që përmes këtij pikëkalimi kufitar po hyjnë në territorin kosovar, po detyrohen të vendosin tiketa ngjitëse mbi simbolet shtetërore që identifikojnë shtetin prej nga vijnë, njësoj sikur të gjitha automjetet kosovare që hyjnë në territorin serb.
Kjo vjen dy javë pas fillimit të reciprocitetit me targa, të vendosur nga Qeveria e Kosovës ku të gjithë qytetarët serbë duhej t’i vendosnin tabelat e përkohshme sa qëndronin në Kosovë dhe t’i largonin ato serbe – gjë që çoi në bllokimin e veriut për dy javë.
Njotimi zyrtar nga policia:
Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit ka bërë përgatitjet e nevojshme për implementim dhe zbatim të vendimit i cili i referohet marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me vendosjen e targave të përkohshme të cilat do të jenë në formën e stikersave.
Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në nivel vendi, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi me kohë janë bërë përgatitjet si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore po ashtu edhe të atyre logjistike, në mënyrë që të ju mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë me targa të përkohshme në formë të stikersave dhe mundësia e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e lëvizjes së lirë në nivel vendi.


 
 
 
						 
						