Nisin votimet ne Shqiperi
Ne Shqiperi ka nisur sot votimi per zgjedhjet nacionale, ku te drejte vote kane 3,588,869 persona.
Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.
Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Tjetër risi do të jenë kamerat në çdo qendër votimi.
Në këto zgjedhje do të votohet sipas sistemit proporcional me konkurrim rajonal, por duke përcaktuar një prag të ri kombëtar. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar prej 1% të votave.
Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mandateve ku partitë luftojnë për 36 ulëse. Qarku i Fierit ka 16 mandate, Durrësi dhe Elbasani me nga 14 mandate, Vlora me 12 mandate, Shkodra dhe Korça me nga 11 mandate, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës kanë nga 7 mandate secila. Qarku i Dibrës me 5 mandate, i Gjirokastrës me 4 dhe i Kukësit me 3 kompletojnë 12 zonat zgjedhore dhe 140 ulëset në Kuvendin e Shqipërisë.

