Një 13-vjeçar është lënduar nga mjetet piroteknike në Ferizaj, në Gjilan nxënësit njihen me rreziqet nga përdorimi i këtyre mjeteve
Një rast shqetësues ka ndodhur dje në fshatin Cërnillë të Ferizajt, ku një fëmijë 13-vjeçar ka pësuar lëndime trupore nga përdorimi i mjeteve piroteknike.
Sinjali mëson se rreth orës 16:30, fëmija është paraqitur për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku mjekët kanë konstatuar lëndime në duar, të shkaktuara nga mjete piroteknike. Pas ofrimit të ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, i mituri është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK në Prishtinë.
Viktima është identifikuar me inicialet E.Q.
Lidhur me ngjarjen është njoftuar Prokurori Kujdestar për të Mitur, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Lëndim me mjete piroteknike”.
Ndërkaq në Gjilan, nxënësit janë njoftuar nga policia, përmes një vetëdijësuese mbi pasojat dhe rreziqet nga përdorimi i mjeteve piroteknike.
Ndodhemi në prag të festave të fund vitit dhe dihet se në këtë periudhë shtohet përdorimi i këtyre mjeteve.
Ligjërata kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit te nxënësit, edukimin e tyre për sjellje të përgjegjshme në funksion të krijimit të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët, gjatë ditëve të festave, thuhet në njoftim.

