Një 22-vjeçare kapet në flagrancë me thikë e fishekë
Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to.
Një rast i tillë është zbuluar dje në rrugën “Emin Duraku” në Ferizaj, teksa Policia po patrullonte dhe kapi në flagrancë disa persona.
Sinjali mëson se të dyshuarit që u kontrolluan nga Policia fillimisht dolën nga një veturë dhe nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, zyrtarët policorë i ndaluan.
Pas kontrollit policor, te një vajzë 22-vjeçare, Policia ka gjetur një armë të ftohtë (thikë) si dhe fishekë të armës së zjarrit.
Për pasojë, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e saj për 48 orë dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

