Një familje mjekësh me rrënjë në Kosovë në Zvicër

Nga përvoja ime me mjekët shqiptarë në Zvicër, kam takuar shumë profesionistë të përkushtuar, në profile të ndryshme, shpesh në pozicione të larta, me reputacion të lartë e me përkushtim shembullor ndaj profesionit.

Por një familje ku thuajse të gjithë anëtarët janë mjekë, si ajo e Dr. Qendrim Zahirit, është vërtet e rrallë.

A e keni ditur që mjeku i mjekësisë së përgjithshme Dr. med. Qendrim Zahiri me ordinancën e tij të dytë në Adlsiwil, afër Zürichut, ka perveç babait mjek dhe ç’është edhe me e veçantë në këtë storje suksese, janë vëllëzerit e Qendrimit, dy prej tyre binjakë.

Babai i doktor Qendrimit Izajdini, është pediatër, ai vetë internist, ndërsa vëllezërit e tij binjak janë njëri neurolog dhe tjetri internist.

Ata po bëjnë specializimin në Gjermani. Nëna e tyre, ndonëse nuk është në fushën e mjekësisë, është profesoreshë e gjuhës.

Prindërit jetojnë në Kosovë dhe shpesh udhëtojnë për t’i vizituar djemtë e tyre në Zvicër, Gjermani e Austri.

»Prindërit tanë kanë punuar shumë që ne të arrijmë profesionalisht këtu ku jemi tani, por nuk kishin menduar asnjëherë se një ditë të gjithë do të largoheshim nga Kosova», tregon Qendrimi me emocion.

Në inaugurimin e ordinancës së tij të dytë, prindërit ishin aty, pranë tij, duke përshëndetur mysafirët, ndërsa bashkëshortja dhe vëllezërit e tij pritnin kolegë, miq dhe shumë mjekë shqiptarë që kishin ardhur për ta uruar.

Nga Austria në Zvicër – një rrugëtim sfidues

Në pyetjen pse la Austrinë për Zvicrën, Dr. Zahiri thekson: “Rruga ime nga Austria në Zvicër nuk ka qenë e lehtë. Studimet, specializimi dhe vetëfinancimi, gjithçka duhej ta përballoja vetë. Punova ditën, mësova natën dhe hapa pas hapi ndërtova të ardhmen time. Ishte periudhë e vështirë, por që më formoi për jetën.”

Në Zvicër ai filloi nga një pozitë më e ulët, por me përkushtim arriti të ngjitet në pozita drejtuese.

“Kur fillon të marrësh përgjegjësi profesionale, ballafaqohesh me sistemin drejtues të institucioneve. Pikërisht këto sfida më shtynë drejt pavarësisë profesionale, dhe nuk jam penduar asnjëherë. Ishte hapi i duhur.”

 Adliswil ZH – një zgjedhje me vizion

Pse zgjodhi Adliswil-in për ordinancën e tij, pyesim doktor Qendrimin?

“Adliswili është një qendër me mbi 20 mijë banorë, me komunitet të madh shqiptar. Ordinanca jonë është moderne, e pozicionuar në një lagje të frekuentuar dhe e lidhur mirë me rrjetin rrugor nga të gjitha drejtimet.”

Në ordinancën e tij ofrohen shërbime të mjekësisë familjare dhe të përgjithshme, duke përfshirë kontrolle të rregullta, “check-up”, ultrazë, EKG dhe ndërhyrje të vogla.

“Për ne është e rëndësishme që pacientët shqiptarë të ndihen rehat, prandaj ofrojmë shërbim edhe në gjuhën shqipe, terminologjia mjekësore është e ndërlikuar dhe komunikimi në gjuhën amtare e bën më të lehtë dhe më të sigurt.”

 Një bashkëshortje menaxhere dhe bashkëpunëtore

Bashkëshortja e tij, Adelina, magjistre e shkencave ekonomike, ka luajtur një rol kyç në suksesin e tij. “Ajo menaxhoi ordinancën time të parë dhe tani edhe të dytën. Por përveç kësaj, ajo zhvilloi një linjë produktesh ortopedike në bashkëpunim me mua, proteza që njihen dhe mbulohen 100% nga sigurimet shëndetësore në Zvicër. Kjo është diçka unike në treg.”/albinfo.ch