Një histori e heshtur e robërisë dhe harresës
Sabedin Sherifi
(Rrëfimi i trishtë i Avdi Brah Sadikut, rikthyer përmes kujtimeve të të birit)
Avdi Sadiku nuk jeton prej vitesh, por pas vetes ka lënë një histori të dhimbshme, që flet për vuajtjet, padrejtësitë dhe harresën historike ndaj shumë shqiptarëve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Në fillim të luftës, shumë shqiptarë u arrestuan nga ushtria gjermane dhe u dërguan me forcë në Gjermani për punë të detyruar.
Në gjuhën e kohës, ata quheshin “jesirë” – robër lufte. Njëri prej tyre ishte edhe Avdi Brah Sadiku.
Për katër vite me radhë, deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ai u mbajt nëpër llogore dhe kampe pune në Gjermani, duke përjetuar kushte të rënda dhe çnjerëzore.
Shumë shqiptarë nuk arritën t’i mbijetonin torturave dhe mundimeve; ata nuk u kthyen kurrë më në atdhe dhe mbetën pa zë në histori.
Tragjedia nuk përfundoi me kthimin e të mbijetuarve. Përkundrazi, pushteti jugosllav i pasluftës nuk u interesua për fatin e tyre dhe, në shumë raste, i përndoqi sërish.
Këta njerëz, të lodhur nga robëria, u përballën me frikë, ndjekje dhe heshtje institucionale.
Siç tregonte mixha Shefki, edhe ai vetë ishte detyruar të fshihej për tre muaj në malet e Vërbicës, për t’i shpëtuar ndjekjes nga pushteti i kohës.
Kur Avdi Brah Sadiku u arrestua, ai ishte i martuar dhe priste fëmijën e tij të parë.
Ai e la pas gruan shtatzënë, pa e ditur nëse do të kishte mundësinë të kthehej ndonjëherë.
Pas katër vitesh robëri, kur u kthye më në fund në shtëpi, vajza e tij ishte tashmë katër vjeçe – një fëmijë që nuk e kishte parë kurrë më parë.
Kjo histori nuk është vetëm e një familjeje. Ajo është historia e qindra e mijëra shqiptarëve, të cilët u shkulën nga shtëpitë e tyre, u shfrytëzuan, u harruan dhe më pas u përndoqën sërish.
Është një kujtesë e dhimbshme për plagët që ende nuk janë shëruar dhe për zërat që historia zyrtare shpesh i ka lënë në heshtje.

