‘Një jetë plot luftë’ – dedikim nga nënkryetari Bujanocit për mjekun Ukshin Ismajli

Zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu, ka falënderuar mjekun Ukshin Ismajli, drejtor klinik i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, për kujdesin dhe shërbimin profesional që ka treguar gjithmonë e në çdo kohe ndaj njerëzve të Luginës së Preshevës.

“Një jetë plot luftë” e ka titulluar Musliu dedikimin e tij për dr Ukshin Ismajlin.

“Dr. Ukshini si mjek, përpos që ja kushtoi një jetë në shërbim të pacientëve, ishte prej mjekëve të parë që iu bashkua UÇK-së dhe që në orët e para iu bashkua UÇPMB-së, ku dha një kontribut të veçantë në mjekimin e ushtarëve dhe shërimin e të plagosurve gjatë luftës.

Betejën e tij për vendin tonë, Dr.Uka po e vazhdon edhe sot me pacientët e Bujanocit e Preshevës, të cilët po mjekohen në Spitalin e Gjilanit, e që kanë gjetur siguri në shërbim e mjekim.

Luginasit do të jenë mirënjohës përjetë për kontributin e tij dhe të kolegëve të tij për shërbimin që po e bëjne për njerëzit tanë.

Një jetë plot luftë është sinonim i betejës së tij në shërbim ndaj jetës. Prandaj në emër të të gjithëve i shpreha mirënjohje e respekt për veprën e tij të madhe”, ka shkruar Musliu.