Një listë emërtimesh të reja në Gjilan ka mbetur vetëm në letër prej 4 vitesh
Vendimmarrësit komunalë në Gjilan, para katër vitesh kanë miratuar një listë shtesë me emërtime rrugësh, por sot e atë ditë vendimi ka ngelur i pa zbatuar në praktikë.
Është e habitshme se si kaq gjatë nuk është arritur të vendosen emërtimet e reja shtesë, në asnjërën prej rrugëve dhe as të korrigjohen disa që janë shkruar gabimisht si ky në foto, që duhet të jetë Xhevat dhe jo Xhavit.
Madje, emërtimet nuk janë vendosur as në sistemin elektronik të adresave.
Kësisoj e tërë puna e komisionit dhe e Kuvendit ka ngelur në sirtarët e drejtorisë, e cila është përgjegjëse për zbatimin e vendimin në këtë rast.
Katër vjet do të duhej të ishin të mjaftueshëm për të kryer një punë aq të thjeshtë, siç është përgatitja dhe vendosja e disa tabelave me emërtime, përkatësisht futja e tyre në sistemin e unifikuar të adresave në Kosovë.

