Një market në Gjilan përfshihet nga zjarri, dëmet janë të mëdha
Një market në qytetin e Gjilanit, është përfshirë nga zjarri paraditen e djeshme, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, rreth orës 11:00, ankuesi H. S, menaxher i marketit “Meridian” në rrugën “15 Qershori”, ka raportuar se gjatë qëndrimit në market ka vërejtur tym brenda objektit, çka ka ngritur dyshimet për zjarr.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia, njësia e zjarrfikësve dhe eksperti i zjarrit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejme.
Sipas deklarimeve fillestare të ankuesit, dëmi i shkaktuar vlerësohet rreth 200 mijë euro, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar për hetime të mëtutjeshme, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.
Hetimet janë në vazhdim. (foto ilustrim)

