Një miliard euro për Kosovën po presin një “po” nga deputetët
Mbi një miliard euro po presin të shfrytëzohen nga Kosova që më shumë se një vit.
Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.
Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.
Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.
Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?
Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë e bëri të qartë se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit 120-anëtarësh dhe për formimin e Qeverisë së re.
Por, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duhen 80 vota.
Nëse Kuvendi nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin as në votimin e tretë, që kërkon të paktën 61 vota nga jo më pak se 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, vendin mund ta presin zgjedhje të reja në pranverë.
A do t’i miratojë Kuvendi marrëveshjet ndërkombëtare para se të rrezikojë një shpërndarje të radhës?
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që i fitoi zgjedhjet parlamentare, llogarit në bashkëpunimin e opozitës që të zhbllokohen fondet e huaja për Kosovën.
Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se LVV-ja pret nga partitë opozitare që të mos e kushtëzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me çështjen e presidentit.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thonë se nuk do të jenë bllokues për sa i përket aprovimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për të komentuar për këtë çështje.
Çka përmbajnë këto marrëveshje?
Nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.
Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.
Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.
E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove.
A po u skadon afati fondeve?
Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë për REL-in se Kosova është vonuar në miratimin e këtyre marrëveshjeve, dhe se po i nisë me vonesë reformat e kërkuara nga BE-ja.
“Fondet e Planit të Rritjes vlejnë deri në vitin 2027, ndërkohë që Kosova hyri në vitin 2026 pa i alokuar fondet, dhe pa i nisur reformat. Dhe, rreziku shtesë është që mund mungojë konsensusi politik në Kuvend për t’i miratuar”.
Për skadimin e afatit kishte paralajmëruar edhe Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, vitin e kaluar.
Të rrezikuara janë edhe miliona euro të tjera, për të cilat marrëveshja ishte nënshkruar në prillin e 2024-tës.
Javë më parë, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë pohoi për REL-in se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes është 13 shkurti i vitit 2026. /REL/

