Një person dënohet për cenim të të drejtave të punësimit
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm (gjyqtari Fatmir Krasniqi) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit R.V., për shkak se duke vepruar në cilësi të Rektorit të Universitetit në Prizren ua ka mohuar apo kufizuar personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.
Ai nuk ka zbatuar vendimin e Inspekcionit të Arsimit përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236 për lëndët si në vendim; të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedh komision recensues të veçantë për çdo fushë.
Me këtë ka kryer veprën penale ‘Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë’, nga neni 219, par. 1 dhe 2 të KP-së nr. 06/L-074.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e dënon me gjobë në shumën prej 1.500 euro.
I dëmtuarit V.M., për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt civilo-juridik.