Një polic kosovar e bën me biçikletë rrugën deri në Cyrih
Një pjesëtar i policisë kufitare të Kosovës ka përshkruar rreth 2000 kilometra rrugë me biçikletë deri në Zvicër, duke e realizuar kështu një ide të kahershme.
Për Mirsad Kryeziun arritja e këtij qëllimi ishte një ëndërr e kahershme, ëndërr për të cilën ai thotë se është tejet i lumtur që ka arritur më në fund ta bëjë realitet.
Kryeziu është një pjesëtar i policisë kufitare të Kosovës i cili ka ndërmarrë një rrugë të veçantë për të përshkruar rreth 2000 kilometra me biçikletë deri në Zvicër.
Në një bisedë me albinfo.ch, Kryeziu ka treguar për përvojën e tij 16 ditore të cilën e ka përshkruar si shumë emocionuese dhe tejet të veçantë pasi siç ka treguar Kryeziu, për këto ditë ka parë një solidaritet të paparë të shqiptarëve duke e përkrahur tej mase në rrugëtimin e tij deri në Cyrih të Zvicrës.
Ishte 12 Qershori dita kur ai ishte nisur nga Kosova, përmes së cilës ai dëshironte të përçonte mesazhin tek secili i ri që çdo qëllim është i arritshëm, por duhet vetëm vullnet dhe përkushtim për të arritur cakun e dëshiruar.
Mirsad, pavarësisht që është i punësuar, si pjesëtar i policisë së Kosovës, ai tregon se ka gjetur mbështetjen e kolegeve të tij për të marrë këtë rrugë të gjatë dhe të mundimshme. Përkrahjen ai ka gjetur edhe nga shumë miq e bashkombas, siç ishte rasti i Nysret Kqiku afarist nga Cyrihu i cili ka qenë mbështetësi kryesor i çiklistit Mirsad Kryeziu.
I pasionuar pas çiklizmit, Mirsad Kryeziu në vitin 2017 së bashku me një shok të tijin kishte bërë një udhëtim me biçikleta prej 1 mijë kilometra deri në Stamboll. Kryeziu, është edhe anëtar i klubit të çiklisteve “Rogana” klub me të cilin që për çdo vit në kuadër të “Tour de Kosova”, udhëtojnë deri në 5 ditë me biçikleta.

