Një shtet me 1.8 milionë banorë e me 510 qendra masazhi, lulëzon prostitucioni në Kosovë

Kosova sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2013, ka 1.8 milion banorë. Mund t’iu duket e pabesueshme por kjo popullsi, i ka në dispozocion mbi 500 qendra për mirëmbajtje trupore, apo siç njihen qendra masazhi. Ndër vite, këto qendra kanë shërbyer edhe për veprimtari të tjera të paligjshme.

Gazeta Nacionale sjell detaje nga një aktakuzë për prostitucionin i cili manipulohej si masazhë, statistika nga Policia e detaje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“M.D më ka ofruar disa klientë për shërbime seksuale në këmbim të parave. Disave ua kam ofruar shërbimin në fjalë. M. më kontaktonte në telefon dhe më thërriste në sallon. L. dhe M. kanë qenë gjithmonë së bashku rreth aranzhimeve. Njëri klient më ka thënë se i ka dhënë 400 euro për mua, ndërsa të tjerët më kanë thënë se kanë dhënë para për mua, por pa treguar shumën”, kishte thënë në Prokurori njëra nga punëtoret.

Prostitucioni nëpër qendra të masazhit

“Numri i personave të legjitimuar gjatë inspektimit të këtyre salloneve të masazhit per periudhën 2019 deri me tani 2022 janë gjithësej 512, ndërsa numri i të dyshuarve për kryrje të veprave të ndryshme penale si trafikim me njerëz, ofrim i lokaleve për prostitucion, mundësim apo detyrim në prostitucion dhe vepres kundervajtëse marrje me prostitucion, janë gjithësej 128 persona të dyshuar”, ka thënë Policia.

Nga të dhënat që ka siguruar gazeta, Prishtina prin me numrin më të madh të qendrave të tilla të masazhës.

Përderisa Policia e Kosovës bën të ditur se në tri vitet e fundit janë mbyllur 65 sallone të masazhit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për gazetën se në periudhën e njëjtë janë mbyllur 24 qendra, kurse 18 janë gjobitur.

Por, cila është procedura deri në pajisjen me leje për qendrat e masazhit?

Gjatë vitit 2020, për shkak të situatës me pandeminë, Inspektorati i Tregut nuk ka realizuar ndonjë aksion për mbylljen e bizneseve të tilla. Aksionet e ngjashme kryhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante. Kur sigurohen fakte të mjaftueshme, atëherë personave përgjegjës iu vazhdohet procedimi penal conform ligjeve në fuqi.

Raste të tilla për prostitucion në qendra të masazhit, gazeta ka evidentuar se ka mjaft nëpër Gjykata. Por që procedurat zgjaten me vite, deri në një vendim përfundimtar.