Një shtetas i Izraelit shkakton aksident në rrugën Prishtinë – Gjilan
Pothuajse çdo ditë shkaktohen dhjetëra aksidente në trafik dhe në shumicën e rasteve si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes. Kështu ndodhi edhe të dielën në mëngjes në rrugën Prishtinë – Gjilan, ku një automjet goditi një tjetër dhe për pasojë një person pësoi lëndime, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, kur një shtetas i Izraelit derisa ishte në lëvizje me veturën e tij shkaktoi aksidentin, duke goditur një veturë tjetër.
Sinjali merr vesh se shoferja e veturës tjetër pësoi lëndime trupore dhe u dërgua në Emergjencë për trajtim mjekësor, ndërsa u shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale.
Bazuar në informacionet e para, shoferi i dyshuar që voziste një veturë të tipit ‘Bentley’ si pasojë e mosrespektimit të rregullave, ka përplasur veturën e viktimës.
Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. (foto ilustrim)

