Një spital jashtë vendit pezullon shërbimet për vajzën nga Kosova shkaku i borxhit prej 80 mijë euro – familja kërkon ndihmë
Një familje nga Prishtina ka bërë një apel publik për ndihmë financiare, pasi vajza e tyre e vogël, Noela, rrezikon të mbetet pa shërbimet jetike mjekësore për shkak të pamundësisë për të shlyer një borxh ndaj spitalit ku ndodhet për trajtim.
Sipas nënës së saj, Brikena Trakaniqi, Noela ka kaluar një betejë të vështirë kundër një tumori shumë agresiv në tru, të cilën arriti ta fitojë me sukses. Megjithatë, pas trajtimit, mbetet jetike që ajo të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe ekzaminimet MRT për të monitoruar gjendjen e saj dhe për të zbuluar në kohë çdo rikthim të mundshëm të sëmundjes.
Familja bën të ditur se spitali ka pezulluar çdo shërbim mjekësor për Noelën për shkak të një borxhi të pashlyer prej rreth 80,000 eurosh nga viti i kaluar. Pa shlyerjen e kësaj shume, vajza nuk mund të kryejë më kontrollet e domosdoshme.
“Është një situatë e tmerrshme për një nënë, të dijë që fëmija i saj ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm, por nuk mund ta sigurojë atë,” thuhet në apelin e familjes.
Përmes këtij apeli, familja Trakaniqi u bën thirrje qytetarëve dhe të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë, që të ndihmojnë në mbledhjen e fondeve për shlyerjen e borxhit dhe vazhdimin e trajtimit të Noelës.
Ata theksojnë se çdo kontribut, sado i vogël, përfaqëson një shans më shumë për jetën dhe shëndetin e vajzës së tyre.
Të dhënat për kontribute:
Banka Credins Kosovë Sh.a
IBAN: XK05 2386 8000 0073 5231
SWIFT: CDISXKPRXXX
SWIFT (ndërkombëtar): RZBAATWWXXX
Adresa: Rruga UÇK, Nr. 240, Prishtinë
Familja gjithashtu ka bërë thirrje që rasti të shpërndahet sa më gjerë, me shpresën se solidariteti i qytetarëve do të ndihmojë Noelën të vazhdojë rrugën e saj drejt një jete të shëndetshme.

