Një vit burg me kusht për zyrtarin komunal

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Avni Nebiu, zyrtar i Komunës së Dragashit, duke e dënuar me një vit burgim me kusht.

Nebiu akuzohej se si zyrtar autorizues i pagesave ka nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.

Ndërsa, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, thuhet se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Aktakuza thotë se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Kështu që sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit./BetimipërDrejtësi